01 korrik, 2007

Kthehu ha fiq,se më rreh baba!(tregim)

(tri rrëfenja në një)

Kisha dal për makinë për t’u kthyer nga Tirana në Fier atë vjeshtë të vitit 1960. Për fat, ndaloi një gaz dhe, sa hipa, shoferi më tha që shkonte për Peqin. Gjysma e së keqes qe, për faktin se deri në Rrogozhinë isha më mirë se të udhëtoja me tren. Shoferi qe një djalosh i ri dhe shumë gazmor. Mezaalla s’e hiqte këngën prej goje. Sikur kish lindur ditën e këngës. Ia tha së parës: “kush ma freskon ballin mu? /aman, Sabahet! /Të kam dashur dhe të du/aman, Sabahet! Desha s’desha hyra dhe vet në valle (atje ku mundja, sigurisht) . Se qe njeri i çuditshëm dhe nuk e mbaj buzëqeshjen edhe tani që shkruaj. Se ja tek më përfytyrohet ashtu i shëndosh, gazmor dhe kënga në gojë. Sa, nga që nuk i di emrin, duhet t’i them: Shofer Kënga. Iu afruam Shijakut dhe ia tha: “Mora rrugën për Shijak/kush ma din kët hallin tim. . . Dhe, kur iu afruam Durrësit, ia valoi: “Për midis pazarit të Durrësit. . . “
Unë, natyrisht, këndellesha dhe vetëm qeshja. Thash me vete, të shohim kur të hyjmë në Kavajë, ç’këngë do shpikë? Kur ia tha, sa kaluam plepat: “Bubullin tek shkëmbi i Kavajës. . . ” dhe, sa mbaroi këtë ia nisi asaj këngës së Sulë Kavajës që”gjallë në dorë s’po bije. . “. Më tej”Çohuni djelmë shaloni atin. . . “dhe, ndërkaq, qemë afruar Gosës. Një çupë 14- 15 vjeçe na vuri dorën. Ou, - bëri shoferi, - ça ka bo vaki, se vetëm çupa kësaj ane s’dalin vetëm. Frenoi dhe i tha çupës: - Hajde ku don me shkue? - JO, jo, - tha çupa, - unë s’shkoj gjëkund, po më ka nxjerrë baba me ju thanë që të ktheheni me hangër fiq në bahçen tonë, se ndryshe më rref baba! ! ! - SI, - s’e mbajti të qeshurin shoferi dhe ca më shumë unë? ! - Baba im, - shpjegoj çupa, - është hoxhë dhe më thotë se është sevap me u dhanë njerëzve nga bahçja, prandaj dhe më ka nxjerrë këtu se fëmijë tjetër nuk ka. Shoferi zbriti tërë qejf, kurse unë i thashë: - Unë jam nga vendi i fiqëve (Mbrostar- Ura ku banoj ka qenë furnizuesi më i madh mefiq e rrushë jo vetëm i tregut lokal, por dhe më tej) , po pres këtu, në hije. Shkoi shoferi i prirë nga çupa e të zotit të shtëpisë (hoxhës) dhe, pas pesë minutash u kthye. - Pse kaq shpejt u ngope? - e pyeta unë. - JO, - më tha, - do mbush këtë arkën se e di sa ka apo jo? Dhe, pasi e mbushi, vazhduam rrugën. Entuziazmi i tij ishte shtuar edhe më, por nuk iu ndenj pa thënë: - Ja, ky hoxha i Gosës, më bën që edhe në nuk e besoj zotin, nga ky ta besoj. Çfarë njeriu! Ku me i gjet këta lloj ropësh se. . . Në RRogozhinë, u ndava me shoferin, por as atë këngëtar të lindur, por as hoxhën e panjohur nuk i harroj. Hoxhën e kam sjell në mend, sidomos në vitin 1967, kur plugu ideologjik u ngul jo vetëm mbi objektet fetare, por edhe mbi klerikët. Thosha: - Mirë bahçen ia kanë marrë, por ç’do ketë ndodhur me këtë Njeri bujar e shpirtmadh në atë kohë kur”
të gjithë u ngritën për të shkallmuar çdo gjë të vjetër (dogmat fetare, me demek) “. Dhe ja pse më mundonte kjo pyetje. . .

* * *

Në vitin 1967 kryeja shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës. Ishte mbajtur fjalimi i 6 shkurtit 1967 dhe më 2 mars 1967
u mbajt ai që u quajt”Kuvëndi i dytë i Lezhës”, për anologji të Kuvëndit të parë të Skënderbeut më 2 mars 1444. Mbledhur gjithë Lezha me fshatrat për reth dhe kuvëndi u bë në natyrë të hapur. Mu tek oborri i kishës (në atë kohë) ka qenë në të majtë të rrugës kur shkoje për Shkodër. Ngjitur në një faqe kodre (aty, aso kohe, ishte dhe spitali i Lezhës) mbledhur gjithë ai popull. Para se të fillonin diskutimet (ku do kryqëzohehin dogmat fetare) , komisari më kish caktuar që të mbaja një farë leksioni kundër fesë, natyrisht. Prashita sa munda dhe, pse ta mohoj, isha dhe entuziast në këtë mision dhe as nuk vija re që më dëgjonin a s’më dëgjonin. Kur mbarova, m’u afrua frati (të më falni se nuk ia mbaj mend emrin) dhe më tha: - A komisari të ka than njiashtu? Unë: - Nuk ka nevojë me m’than komisari! Ai: - A çohesh nji fije n’kamb? ! U çova se ishte i moshuar krahasuar me mua, djalë 24 vjeçar atë kohë. Të lutem, - vazhdoi frati me politesë, - hapi krahët. Dhe unë i hapa. - E shikon vedin, - më tha frati, - tash që i hape krahët a je kryq? PO ke lindur kryq, more ushtar, kështu i thuaj komisarit. Mua sikur më hodhi njeri ujë të ftohtë në shpinë dhe, sa do të vazhdoja debatin me të, më tha: - I thuaj komisarit, ushtar, kur të prodhojë fabrika farën e tokës, atëherë i thuaj që nuk ka zot. Tani sikur më hodhi në tuç. Por nuk mbaroi këtu kjo mesele. U bë kuvëndi, u”demaskua” feja dhe frati me gjithë fenë, iu dërgua telegram “solidariteti” ideusit të këtij”kuvendi historik” dhe, në finale, zbritën disa veprimtarë drejt e tek shtëpia e fratit. Ishte në mes të një bahçeje të bukur (në krah të djathtë të rrugës kur shkoje për Shkodër) . Nuk di po kjo bahçe kaq e mirë më çoi në mend atë bahçen e hoxhës së Gosës të”kthehu ha fiq se më rreh baba! “. Dhe në shkruaj për këtë bahçen e fratit të Lezhës, e kam një shkak. Në mes të bahçes ishte shtëpia vilë e fratit. Mbi çati një kryq i madh. I thanë, pas kuvendit, Dom, hiqe kryqin prej shtëpisë. - Jo, more, as kam për ta heq unë ndonjherë atë prej tujit. - Si, ithanë, nuk e heq? ! Kur, pas këtij kuvendi? ! Atëherë urdheruan disa të rinj: - Ngjituni dhe hiqeni! Dhe e hoqën. Dhe ai, frati: - A e hoqët, a? U thojni atyre partiakëve në Tiranë se kryqin unë e kam çetu- dhe tregoi zemrën. Qëndrimi i atij frati s’më hiqet nga mendja. Të nesërmen, fratin e arrestuan. Dhe nuk di se si i vajti filli. Por ato replikat me mua dhe ajo “çetu” më mbetën në kujtesë e sot e kësaj dite.

* * *

Kur dola unë mësues, në prag të viteve ‘60, të drejtat për të vazhduar shkollat apo bursat e tyre i kishim ne si shkollë. Kriteret ishin që të drejta do merrnin nxënësit më cilësorë dhe, duhet të ruheshim, që mos shkonte në shkolla ndonjë”armik”. Nuk inkurajoheshin edhe birët e klerikëve (se supozoheshin si kundërshtarë potencial të regjimit) . Mirëpo bursat ndonjëherë ne nuk arrinim, me të vërtetë, që t’i realizonim për shumë arsye. Në shkollën ku jepja dhe unë mësim, kisha dhe çupën e priftit e cila, ishte shumë cilësore. Prifti e dinte se, sado që çupën e kishte me nota pesa (nota më e lartë për vlerësim) nuk shpresonte që të merrte ndonjë bursë. I them unë: - Papu, po ta rregullojmë tët bijë, shtron ndonjë darkë (ishte shumë mikpritës. Dhe i kamur në atë
kohë krahasuar me bashkëfshatarët) . - Në vend, - ma priti. Ne ia dhamë së bijës bursën, por prifti ishte burrë i zgjuar dhe nuk ia hante qenin shkopin kollaj. I them unë: - Papu, ne si shkollë, e bëmë punën tonë, por ti nuk po e zbraz? Ai: - Pse ti, një copë dhaskaluci (e kish me të qeshur, sigurisht) më bëre nder, ma bëri partia epunës, babam. Dhe ia dha të qeshurit. Ëhë, - më thoshin fshatarët mua, - ashtu bën ai, po kur të futesh atje do të marrësh vesh se sa mikpritës është. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë. Më mori për darkë me gjithë drejtorin dhe në shkruaj tek kjo rrëfenja, e kam një arsye. Na priti me duar në qafë, me gjithë të mirat. Ishte gati që t’ia merrte dhe valles nga gëzimi dhe bënte një muhabet që atje dhe s’e gjeje kund tjetër.
Natyrisht, të gjitha unë nuk i mbaj mend (kanë kaluar plot 47 vjet) por dy nga atë rrëfime të atij prifti aq të zgjuar dhe me humor, do t’i tregoj edhe për ju.
Më erdhi një mik i panjohur, - rrëfeu ai, - trokiti dhe dera e shtëpisë është e mikut dhe e zotit. I panjohur, por nevojtar. E zuri nata dhe kabull mysafir. E prita me gjithë të mirat. Aty, nga mezi i rakisë, më thotë: - Papu! Po të bësh një gjynah sot, kur e vuan? Unë, pa menduar gjatë, ia kthej: - Pas 40- vjetësh! Dhe vazhduam të pimë. E pashë që ndryshoi çehre dhe e ktheu me plot. Unë po shok doja. Mirë, o mirë, po duket e teprova. Dhe më vuri poshtë. Ai, kur pa që më zuri kjo e flamosur, një të dalë thoni ju, drejt e në haur dhe më merr kalin. Zgjohem unë në mëngjes. Shikoj për mik, s’ka. Dale, - thashë, - mos ketë shkuar atje (në hale, se jashtë i kemi, de, ato! ) , por jo. Kur shoh haurin, dera gjysëm hapur. Kali mungonte. Oh, - thashë, - paska qenë hajdut! Pastaj më shkoi mendja që kali im, nuk mbante njeri mbi kurriz veç meje. Kalë i sert, nopran, thuaj. Kish rënë një vesë shi dhe dukeshin patkonjtë e kërrit tim. Më kapi një gulç i keq, se e doja kalin. Shikoni papun, - tha, - larg e tutje po malli është i dhimbsur. Gati si evlati! ‘Çfarë t’ju them? Them me mendje: nuk e ndoqa pas gjurmëve se kali im nuk mban njeri në kurriz. Dhe ashtu bëra. Si eca, pothuaj nja një orë, kur e gjej. Miku po shkumonte. Ulërinte nga dhimbjet dhe kali po kulloste. - Uratë, - më tha”miku”, - më more nëqafë! - Pse? - i thashë. - Më the pas 40- vjetësh dhe po e vuaj sot! ! ! JO, - ia prita, - nuk është gjynahu im, e ke bërë para dyzet vjetësh i thashë. Dhe, sakaq, mbaroi. Lajmëruam në pushtet. Erdhën nga larg dhe morën kufomën. Na rrëfyen që hane bir vetëm me vjedhje merresh. Dhe e pagoi një ditë. Epo gëzuar, - na u lëshua mua dhe drejtorit, - nga ju s’kam frikë. Dhe qeshi. Por ky njeri kaq i mirë, klerik shumë i zgjuar, pati një fund të keq. Kur ua morën të gjitha, u hoqën mjekrrat dhe i çuan të punonin derrçe për të shlyer”gjynahet”.
E, - më thoshte, - i pashë bathët unë që tregonin prapësi, por s’thoshja dot. Pse? - e ngacmova unë. Si i pe? Dhe ai: - Kam kaq e kaq sene që e bëja këtë punë. Për të gjitha, s’të tregoj dot, por atë
që më ndodhi me Petro Fundin do të tregoj. Ky, Petrua, ma kish shtëpinë mu në buzë të lumit të vjetër (të vdekur- sipas Jakov Xoxes) . Si mënjanfshatit që ishte, shpezuri plot. Shtëpinë vërtet ma kishte të mbuluar me kashtë, por shpezuri të fsushës do ti, të ujit po se po. Dhe rronte mirë, ore babam. Shkoja unë për data të shënuara tek Petrua, kaçilen me vezë dhe o një patë a rosë me vete. Për të ngrënë plot. Por ja vendosi Petrua dhe na bën shtëpi të re. Me tulla dhe mbuluar shtëpia me qyramidhe. Oxhaku që atje tej, lyer me bojë që të binte në sy. Dhe më fton mua. Gusht qe- e mbaj mend mirë- dhe më fton mua: - Hajde, papu, dhe më kungo shtëpinë e re! Vajç! Domosdo që do vija. Kur Ç’të shoh, e shoqja, Vara, më nxjerrë për të ngrënë trahana? ! Unë po as që e kapa lugën me dorë. Petrua: - Urdhëro, papu, dhe ma kungo. Dhe unë (epo si do ta gjeja belan, xhanëm? ! ) se nuk më rri dhe goja e shkrete: - Sa pate shtëpinë me kashtë, të dinte goja ç’të hashë!
Shtëpia mbuluar me qyramidhe, m’u bë goja aguridhe! Oxhaku lyer me bojë, ç’mut të vësh në gojë? Po pse, O Petro, po hahet trahanaja në gusht? ! Dhe ika që thuaj ti, por që aty e vura matën. Po vinin kohë të flamosura për ne. Do hanim trahana në gusht. Dhe qeshi në mënyrë kuptimplote. Dhe kështu e sosi jetën ky miku im (pra hëngri trahana në gusht) që tani nuk rron më.
Por ja që ne harrojmë shpejt dhe kjo është arsyeja që dhe pse kemi ecur (dhe vazhdojmë të ecim) si gaforret. Vetëm së prapthi. . .
Në i mblodha këto tri rrëfenja në një, e bëra për të kujtuar ata klerikë që diktatura i maskaroi jo vetëm moralisht, por edhe fizikisht.

Përparim Hysi, 24 qershor 2007 (për ”peshkunpaujë”)


4 Komente »


1.
blete thotë:

26 Qershor 2007 @ 4:32 pm

rrefenja te lezetshme. sado qe une jam femije i vonshem dhe figura e klerikut fetar ishte katandisur ne karikature kur fillova te merrja vesh nga bota


2.
Grizhda Emily Ann Zabar thotë:

26 Qershor 2007 @ 4:47 pm

Me kujtoi rrefenjat e gjyshit… edhe gjyshi im pak vite para regjimit, nga varferia e kishin marre fratet per te studjuar ne kishen e tyre… dhe gjithe kohes e kane patur nen shenjester…


3.
doriani thotë:

26 Qershor 2007 @ 5:43 pm

z perparim po shfrytezoj rastin t’iu jap pergezimet e mia me te sinqerta dhe te plota per hapjen e temes se paradisakoheshme qe kishte te bente me kujtesen e viteve te persekucionit.komplimentet e mia ne rradhe te pare per kendveshtrimin me te cilin e kishit pare dhe me erdhi keq qe nga sa lexova,komentet kishin qene ose te” bardha” e ose te “zeza”.Personalisht mendoj se te tilla tema,te hapura me delikatese dhe pa urrejtje ndokojne ne krijimin e ndergjegjes kombetare dhe asaj civile,per te cilen mendoj se kemi nevoje.me erdhi keq qe s’mund te merrja pjese ne diskutim,por e quajta me vend t’iu shfaq mendimin tim,duke pasur parasysh se rrallhere jam entuziast rreth nje ceshtjeje .me respekt,doriani

4.
Dori thotë:

27 Qershor 2007 @ 6:28 am

Faleminderit z. Hysi, më pëlqen shumë stili i tregimit që keni. Vërtet mbani mend tërë këto imtësira pas kaq vitesh?

Penelopa e Fierit! (Tregim)

Tregim

(kujtimit të pianistes së madhe, Maria Rafael)

Ndodhka që dhe mitet, si dhe historitë, vijnë dhe përsëriten. A s’qe Penelopa, gruaja e Odisesë (më dinakut që njeh historia, një mit?) Një mit i mirë, në fund të fundit, ku persenofikohej besnikëria proverbiale e një gruaje fisnike. Dhe kur thuaj Penelopa për një grua, zëre se i ke thënë të tëra. Se tek gruaja, të paktën për psikologjinë tonë, mbi të gjitha shikohet ndershmëria; apo ca më saktë: besnikëria ndaj burrit, me të cilin ka ndarë kurorën. Dhe venë dhe nga venë historitë dhe prapë ndërsillen tek më besnikja: Penelopa. S’do merrem me historinë e Penelopës së Odiseut, se kjo dihet tashmë nga kushdo. Por do t’ju tregoj për Penelopën tjetër, për Penelopën e Fierit, e cila, për fat të keq, së afërmi ka një vit që është ndarë nga jeta.
* * *
Ka qenë viti 1961, kur tenori dhe skenaristi i Teatrit të Operës dhe baletit në Tiranë, Stavri Rafael dhe i vëllai i tij, majori i Shtabit Qendror të Mbrojtjes lokale Kundrajrore, Thoma Rafael, duke mos duruar trysninë e rëndë politike (po frynin erëra dhe më të ftohta se nga ato të pasçlirimit) vendosën të çanin klonin e zi, për të ikur në perëndim. Nje besëfikur ( e ku numëroheshin ata?) i hëngri në besë dhe i arrestuan në Lin të Pogradecit. Thoman, si ushtarak, e pushkatuan (kish”shkelur” betimin e ushtarakut?! ) dhe Artistin Stavri Rafael e dënuan me 25-vjet (s’kishte dënim më të gjatë në ato vite) . Këtu merr shkas edhe historia e Penelopës së Fierit:
“Një grua e bukur hungareze, një artiste, mjeshtre e lojës në pianoforte, u çapit tok me ne për nja tre dhjetëvjeçarë të gjatë, në rrugën shqiptare të mundimeve. Ajo zbriti në Shqipëri në një ditë të kthiellët, ashtu e re, e freskët, pështjellë ngrohtë nga dashuria e të shoqit shqiptar, bashkënxënës në konservatorin e Budapestit. E ndoqi pas siç ndiqet shoku i jetës, si në traditën e tërë vendeve të qytetëruar. “
Këto fjalë që kam vënë në thonjëza janë të bashkshokut të saj, të halleve. Të halleve dhe të punës, njëkohësisht. Janë fjalët e të madhit Pëllumb Kulla (kush më mirë se ai mund ta njihte?) , fjalë që i ka shkruar kur mori vesh vdekjen e papritur, të asaj: Penelopës aliaz Maria Rafael.
E dëbuan nga Tirana të shoqen e Stavri Rafaelit dhe e sollën në Fier: Në krahë kishte të birin e vogël, Adin. Ne, fierakët, qemë mësuar me këta të”sjellë” se, duhet thënë, Maria Rafael as nuk qe e vetmja që u internua në Fier (ajo, si të gjithë ata që vinin si të tillë, gati kishin të shkruar në ballë: damkosjen si armiq të partisë, pushetit popullor) kish edhe gra të tjera të huaja (sidomos ruse) por, hungarezja Maria Rafael, me të vërtetë, ka qenë një përjashtim.
Për 25-vjet ajo e priti me një devocion të rrallë të shoqin. Tek shkruaj për të, më vjen ndërmend, se diku në një vend shkëmbor të Amerikës rritet dhe një bimë e rallë që quhet Agavita. Kjo, agavita, çelë lule pas 25-vjetësh dhe rron e gjallë vetëm me vesën e pakët e atij terreni krejt të thatë. Dhe Maria Rafael e priti të shoqin për 25-vjet me radhë, duke e takuar atë pas telave me gjemba, kudo që e vuajti burgun. Dhe në se agavita, ushqehej me vesë, Maria Rafael ushqehej me shpresë.
Dhe çuditërisht, megjithëse nuk reshperonte me asnjeri, ajo, megjithatë, fitoi zemrat e gjithë fierakëve. Sikur të kishe mundësi të bëje një plebishit, edhe në atë kohë të frikëshme, jam plotësisht i bindur, se ajo do të votohej unanimisht si një grua fisnike, unike dhe e paarritshme. Me një bukuri fine, me një heshtje proverbiale (me askënd nuk komunikonte: për arsye të kuptueshme) ajo gjithmonë të imponohej që në distancë. Në punë (në shkollën e muzikës apo në Shtëpinë e kulturës së qytetit) ishte e përpiktë si një sahat zviceran dhe, sa mbaronte punën, kthehej atje tek hyrja e saj. Dhe kishte vetëm një shok: të birin që u rrit mes vuajtjesh.
Nxënësit e donin se ajo vinte zemrën e saj mbi piano. Dhe qenë të shumtë ata që fituan konkurset e shkollës së lartë të muzikës në atë kohë aq të vështirë. Më kujtohet, veç tjerash, se kur shkova të interesoshesha për time mbesë që kish mbaruar të mesmen për piano me mësuese Marian, dhe takova Profesor Robert Radojën, ai më tha: -A, nga Fieri është?Po ajo është nxënëse e Marias! Po Maria është e vetmja pianiste në Shqipëri me kualifikim të lartë. Mjeshtre në llojin e vetë. As mos ki merak, -më tha Mjeshtri. Dhe vërtet: ime mbesë fitoi (dhe s’qe evetme) dhe, pasi mbaroi konservatorin me të madhen tjetër, zonjën Çashku, sot është pianiste në një shkollë italiane. Por këtë detajë e solla jo për illustrim dhe aq. Por më kujtohet, se kur u kthye ime mbesë nga konkurimi, pashë mësuesen e saj të qante. Qe Maria Rafael që qante. Dhe në këtë qarje kishte edhe dhëmbshuri prej nëne, por edhe sadifaksion të heshtur të një pune të mohuar. Me punën e saj ajo i qe imponuar tërë Fierit. Dhe nuk di, pse ndërsa shkruaj për Marien, tak dhe më rrëfehet i ngjashmi i saj siamez. Ky siamezi me të cilin me ngjetë Maria nuk është tjetër, po një mësues. Për këtë mësues flet shkrimtari francez, Henri Barbys. Mësuesi quhet Baltemoro Sori. Punonte në një fshat spanjoll aty, pas viteve’20 të shekullit që kaloi. E kishin me sy të keq si shteti, ashtu dhe kisha, inkuizicioni që kontrollonte dhe shkollat në Spanjën e asaj kohe. Kurse mësuesi punonte me aq përkushtim, sa jo vetëm nxënësit e donin, por dhe prindërit e atij fshati të madh. Dhe aq mirë punonte dhe sillej, sa fshatarët e donin dhe e respektonin. Dhe kishin arritur të gjithë në një përfundim: po të qëllonte që ky, Baltomero Sori, të vinte qoft edhe njëherë të vetme vonë në punë, fshatarët do të thoshin: -Jo, nuk është e mundur. Nuk ka ardhur vonë ai, por orat tona nuk janë në rregull.
Në të tillë përfundim do të arrinin dhe fierakët për Marian. Dhe, kur në prag të përmbysjes së dikaturës, Stavri doli nga burgu (njësoj si Agavita) Maria e bukur si një tulipan i bardhë çeli përsëri. Në krye të vitit u bënë me çupë. Sa u hapën portat për emigracion, ajo familjarisht iku në Hungari ( nga ishte) së bashku me Adin (të martuar tashmë) me çupën e vogël e Stavrin e saj të dashur të cilin, mjerisht, burgu e kisht tkurrur, por s’i kish humbur vitalitetitn.
Dhe, andej, i mbante lidhjet me ish-nxënësit e saj. Kur e pyeta në telefon para një viti time mbesë në Itali për Marien e bukur dhe fisnike, më tha: -Ka vdekur, pasi kish pësuar një shok cerebral. Më erdhi aq keq sa sikur kisha humbur një njeri të familjes. M’u dhimb dhe, ndërsa po bëja gati të shkruaja, pashë që kish shkruar Pëllumbi. Pëllumb Kulla, regjisori, aktori, shkrimtari, bashkëshoku i saj i halleve. Pëllumbi që kish ardhur për të vuajtur”kalvarin” e luftës së”kllasës”, por që i solli buzëqeshjen e madhe jo vetëm Fierit, por, pa e tepruar, edhe Shqipërisë përmjet estradës së Fierit që e ngriti në apogje. S’më mbeti po të bëja një shtesë time mbi atë artikull të Pëllumbit. Turqit thonë: “Pas kasavetit, ka selamet! “.
Bashkia e Fierit, për punën me përkushtim të Maria Rafaelit i ka dhënë asaj titullin”Nderi i Fierit. “E meritonte dhe, po të ishte se dëgjohej zëri i arsyes, asaj shkollës së muzikës që sot mban emrin e të madhit Jakov Xoxe, ishte mirë t’i vihej emri i saj. Se aty punoi jo pak po gati 30-vjet. E sa për Jakovin e madh, . emri i tij imerituar le t’i jepet, ta zëmë Universitetit Myzeqeja që qeveria e ka patur në program për ta ngritur. Së afërmi, Penelopa e Fierit aliaz Maria Rafael ka njëvjetorin e vdekjes. Paqe mbi varrin e saj atje në vendlindjen e saj! Amen! . . .

~~~

Pianistja

Maria Rafaelit
I vendose gishtat e brishtë mbi tastierë. . .
Ç’brengë të mundon, Maria Rafael?!
Mos për Stavrin mendon që e ke, larg, në burg
A për Adin e vogël që do rritësh me mund?!

Ti rri mbi tastierë e s’di çfarë do luash
Ndoshta Moxartin, Listin a ndonjë “valc”
Një çast mendohesh dhe gishtat po lëvizin
Melodia zë derdhet (mendimet terratisin)

U duk sikur kabineti u mbush plot me diell
Se diell sillje në piano, e bukura Rafael!
Ndërsa nxënësit të ndiqnin (por ç’kanë, O zot?)
Lotojnë me mësuesen: brengën e ndajnë tok!

Ke ikur nga Shqipëria, ke ikur dhe nga Fieri
Po Fieri s’të harron, Maria Rafaeli!
Tërë jetën tënde punove me përkushtim
Sa të gjithë fierakët të kujtojnë me adhurim

8 mars 2001


Ikja e “kometës”

Kujtimit të Maria Rafaelit

Këtë grua”mëkatare” e sollën në Fier
Na ishte”trdhëtare”: drejt dhe nëFerr!
Kujdes se është”armike” (të shihet me kët’sy! )
“Armikja” u bë mike (rrezatonte veç urtësi) .

Sado që qe qiellore (bekuar qe nga Perëndia)
Qe aq tokësore, sa thirrej Shën Maria!
Punoi me përkushtim, si të qe sahat
E kujtojmë me për mallim, këtë grua zemërartë!

Kur mora vesh që ka ikur, ka shkuar nga kjo jetë
Ndjej në trup një të dridhur, sikur kam korent.
Aq dhëmbjen kam të madhe nga ky lajm të zi
Vdekje je bastarde që more të shënjtën Mari!

Qe e bukur si kometë, dhe e bukur iku, shkoi
Në zemra për jetë, do rrojë, Maria, do rrojë!
Kometat a s’kthehen (vallë, kthehet dhe Maria?! )
Zemrat tona shkrehen edhe qajnë nga dashuria.

26 shtator 2006
Përparim Hysi për ”peshkupaujë” më 21 qershor 2007

19 qershor, 2007

Hamleti në Mbrostar-Ura (1)

(Requem për Kujtim Spahivoglin)

Jam pakësa i vonuar, por, siodoqoftë, më mirë më vonë se sa kurrë. Këtë shkrim ka kohë që e ruaj në kujtesë si një plagë që dhëmb dhe më ka ndodhur si me Gurin mitologjik të Sizifit, e ngre dhe prapë rrëxohem me gjithë të. Ngjarja është e vjetër, gati 30-vjeçare, por, sado e vogël, më ka lënë një mbresë që dua që ta heqë nga trupi. Dua që ta ndajë me të tjerët: fillimisht me të afërtit e të ndjerit (gruan, Vllasovën; çupën e tij, Timin; të vëllanë, Skënderin dhe nuk di në ka të tjerë? ! ) mandej me të gjithë ata daashamirë të shumtë të tij që nuk janë vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë (ai ka patur një stat unik: shkonte në Kosovë për art! ) dhe, siç edhe ka ndodhur, me këtë kurbet galopant: në të katër anët e globit ku ka shqiptarë. Kam dhe një arsye tjetër: sivjet, me sa di unë, është 20-vjetori i tij (më duket ka qenë në shkurt? ! ) . Ka 20-vjet që fizikisht nuk është, por rron tek ata që e kanë njohur, një prej të cilëve jam edhe unë. Ndoshta jam i gabuar (për shkak se jam larg Shqipërisë) por nuk pashë ndonjë takim jubilar për nder të tij, të paktën sa kam ndjekur unë së largmi. Sidoqoftë, duke prurë këtë shkrim ” rekuem “ për Të, bëj një si apel për të gjithë ata që e kanë njohur, këtë artist të madh të skenës që, veç artistit, hynte në ata njerëz me zemër të madhe sa bota, pra apel për ta bërë sa më të plotë portretin e tij të bukur që, mjerisht, jo vetëm e masakruan, por e vranë para kohe.

* * *

Ka qenë vera e vitit 1960 a 61? kur e kam parë për herë të parë në skenë. Luhej ” Hamleti “ i Shekspirit dhe për këtë rol debutonin në net të ndryshme, tre aktorët tanë më të mëdhenj në atë kohë: Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Kujtim Spahivogli. Naimi dhe Kujtimi ishin nën kujdesin e një regjisori sovjetik (Batko a Bratko më duket se kish mbiemrin? ! ) , kurse Kadriu përgatitej vetë. Unë-pse ta bëj hasha-isha fans i Kadriut. Kjo për dy arsye: e kisha parë tek ” I çudtitshmi “ dhe më kish befasuar dhe, nga ana tjetër, rrija me një të afërmin e Kadriut tek shtëpia e artistit, kur banonte tek pallatet ” Agimi ” . Aty, tek shtëpia etij, lexonim pirgun e letrave nga simpatizantët dhe këto, natyrisht, dikonin në shijen time. Por shkova i pashë që të tre me radhë. Kurrë nuk mund të harroj dy duar që sikur bënin dritë tek ” përkëdhelnin “ në skenë kokën eJorikut, pastaj batutat që duket sikur dilnin nga një shpirt vullkanik: ishte, këtë radhë, i bukuri Kujtim Spahivogëli. Dhe më mbeti në mendje: i bukur, i paarritshëm. Mandej, e ndiqja në shtyp nga largësia, dhe më bëhej qejfi.

Lexoja-pse ta mohoj-edhe ndonjë poezi të tij. Shkëlqimin po e arrinte si regjisor dhe ca më tepër me kontributin që po jepte në Kosovë ku shkonte shpesh (gjithmonë sipas kujtesës sime, se sot nuk kam një organ shtypi për t’iu referuar) . Mandej-mos gaboj në mes viteve ‘70-erdhi dhe gjëma. E dëbuan. E përçudnuan. E maskaruan. Dhe, kur marrë të shkruaj për këtë dëbim tinëzar, s’ka si mos më vij në mend, një varg lapidar i Asdrenit nga poemthi ” Kryengritësi “ që thotë: ” Dëbojeni ” Të ikë se na bën hije!” Dhe, për fat të keq, kështu ka ndodhur. Qenka zbuluar (më së fundi) se nuk ka patur kurrfarë vendimi për të ” linçuar “ këtë artist të madh të skenës, këtë luftëtar të madh të Kombit (ka qenë ” Debatikas ” , këtë njeri kur kjo fjalë në çdo pozicion përbri tij duhet shkruar me të madhe. Dhe e dërguan në Fier. Në Fier po ku: në bonifikim. Në bonifikim po ku: në Mbrostar-Ura, tek ai poligoni (siç e quajmë ne, vendësit-se jam nga Mbrostar-Ura, fshat 3-4km larg Fierit) , ku dhe e ritakova. Por të mos harroj: u vrava dy herë shpirtërisht me këtë internim të Kujtimit edhe për një arsye tjetër: këtë do t’jua them më poshtë. Fieri ish qendër ku vinin kryeqytetas të sferave të ndryshme që ia kishin bërë ” borxh “ partisë: këtu kanë mbyllur sytë (në Fier) Sejfulla Maleshova dhe Sejfi Vllamasi. Kanë vuajtur dënimin artistë si Pëllumb e Xhuljeta Kulla, Leka Bungo, Maria Rafael edhe ndonjë tjetër. Por me Kujtimin ndodhi pak më ndryshe: e shoqja, Vllasova, e ndau. Kjo (kështu arsyetoja atëherë) më revoltoi mua më shumë. E braktisi atëherë kur i duhej më shumë. Dhe e mora Vllasovën më shumë inat se sa partinë dhe qeverinë. Në shkruaj tani kështu me letra të hapura, dua që, ndoshta, ajo ta lexojë dhe ta dijë mendimin tim.

Dhe tani si e takova? Po vija me biçikletë nga Fieri për në shtëpi dhe, mu tek porta e poligonit, pashë një burrë që jepte e merrte për të hedhur mbi një reportabël, një platformë betoni. Ishihja duarët etija të veshura me një palë dorashka ” made in thes çimetoje “ që jepnin e merrnin, po s’po arrinte dot. Lashë bicikletën dhe iu afrova ta ndihmoj, Kur ç’të shoh? Qe ai: Hamleti! ! ! (dora vetë Kujtim Spahivogli) . -Hamlet, ti në Mbrostar-Ura? - i thashë. Ai, i befasur, lëshoi platformën dhe tha: -Ku më njeh? -Po ty të njeh e gjithë Shqipëria, -i them. Dhe pashë që iu rrëkëllyen dy lot të mëdhenj. Lot të mëdhenj prej burri të nëpërkëmbur. E kapa platformën dhe e hodha mbi reportabël. Tek po matej të më falënderonte, unë pashë që po afrohej ” fukaraj ” -një afie që hiqej si i varfër-por ishte sytë e veshët embretit. E keqja qe se ” fukarai ” më njihte mua dhe ky ” takim ” sado i rastsishëm, s’ishte në të mirën time. Frikën e njihja dhe s’kam pse të rrah gjoksin për trim.

Pedalova mbi biçikletë, për t’u shpëtuar syve të ” fukarait “ (maskarait-më mirë) por pas mora dylotët e atij burri që më pikuan shpirtin. Shkova në shtëpi she shkrova aty për aty: ” Kur qan një burrë ” . Duket sikur u çlirova nga një si makth, por, sakaq, dhe më filloi autocensura. Frika se mos më pa kush se çfarë shkrova. Dhe e grisa atë që shkrova. Vetëm nga frika. Ama lotët e Hamletit më kanë ndjekur dhe sot e kësaj dite. Diku, dikur, kur diktatura u përmbys, rishkrova për këtë artist të madh një poezi. Sado që s’është kushedi se çfarë unë po e sjell për ju. Sidoqoftë, unë pres që këtij artisti të madh t’i jepet vendi që ka merituar. Një qiri mbi varrin e tij! Amen! . . .

K u j t i m !

Post Mortum, Kujtim Spahivoglit

Ç’qe ajo dorë mizore që të ” vrau ” në gjumë?
Ty, shpirtmadhit, me zemrën si pëllumb?
Vendim hiç s’ka patur (të dënuan qesim? ! )
Kë shkele në kallo, i bukuri Kujtim? !

Një gojë si gjeratore, e keqe, e ligë
Voll helmin e cmirës: të ikë, të ikë!
Pëllumbin e bukur, me shpirtin e madh
E dëbuan nga Tirana: larg! Sa më larg!

Të bëjë beton, të hapë kanale
Ah, gjuhë zezonë! Ah, gjuhë prej Kasandre!
Dhe shpirti i bukur u lodh, u cfilit
Të vretë pafajësia, nga pak për çdo ditë.

Dhe zemra më s’duroj (një ditë shkoi, u fal. . . )
Siç fiket një qiri që tretet me ngadalë.
Dhe iku pëllumbi (ndoshta në të pakthim)
Por ne që të duam: të presim, Kujtim!

Skena të pretë dhe njerëzit të presin
Se Njerëz si Kujtimi kurrë nuk vdesin.
Tek shkruaj këto vargje (më bëhet si i gjallë)
Atje, tek poligoni, tek hapte një kanal.

Ndaj them me veten time: ndoshta e shoh prapë? !
Ah, kjo shpresa ime, pse mbeti e thatë? ! . . .

13 tetor 2004

1. Mbrostar-Ura-fshat 3-4 km larg Fierit.

Përparim Hysi, dërguar për ” peshkupauje ” më 18 qershor 2007

14 qershor, 2007

E kemi Mbretin “axhami”

Tregim i jetuar.

Ka qenë vjeshtë e vitit 1959. Qeshë emëruar mësues në një fshat të thellë të Myzeqesë dhe atje edhe njoha xha Trushin. Qe një burrë as i gjatë dhe as i shkurtër, mestar do të thoja, veshur me rrobe karakteristike të asaj kohe ku, padyshim, duhet të veçoje takijen e bardhë dhe, sado vjeshtë e nxehtë, e mbante veshur xhaketën prej doku të zi.
Këmishën e kishte të bardhë, pa jakë, grykez që i thonë në Myzeqe, dhe, kur kjo këmisha i hapej nga era, do të shihje fanellën prej leshi. Kur e pyeta se si e duronte atë fanellë leshi në atë vapë përvëlonjëse, ai m’u përgjigj:- Aha, qo (kjo) më është edhe doktor, edhe spicer njëherësh. Se shiko, more dhaskal, nga leshi nuk ka vdekur njeri, po nga ftoma:sa të duash. Dal e ngadalë qemë bërë miq, pothuaj, me xha Trushin.
Fëmijë nuk kish në shkollë, por na hahej muhabeti e pikë.
Kur vija nga shtëpia në fshat (qeshë 20 km larg) , do ta gjeja, mëngjeseve, në shullë duke marrë ato rrezet e ngrohta të mëngjesit që siçthoshte, ” jo vetëm ia donte shpyrti (shpirti) , por qenë si melhem për moshën e pleqërisë. “Se aty, mëngjeseve dhe tërë ditën (ndonjëherë dhe natën), priste të përcillte me lundër kalimtarë dhe nevojtarë të atyre anëve. Se unë harrova: xha Trushi punonte si lundraxhi.
- Si u gëdhive, xha Trushi?- Mirë të faluminderit (i mbahem shpesh të folmes së tij, në shumë raste. Të më falin lexuesit!) zotëria juaj, si është?I tillë qe me të gjithë. I respektuar, i urtë deri në përulësi. Mereni me mend, kur më thoshte mua, një buzëqumështi ” zotëria juaj ” se, kisha vënë apo s’kisha vënë brisk në faqe?!E veçanta qe se kjo ” zotëria e juaj ” kish dalë nga fjalori, me kohë, dhe qe zëvendësusar me shok, po aha, xha Trushi, s’hante aso gjelle. Metros i thosh kut dhe orës sahat. Por, për i ndershëm, shokët i kish të rrallë. Kishte njohur fukarallëkun e kohës së “Merhumit” (Mbretit Zog) . Kur unë mundohesha të rëmoja në të kaluarën e tij, nuk kursehej. Fliste shtruar, pa u ngutur dhe kërkonte se mos shtëllizte keqas ndonjë gjë. Ta thashë, - më thoshte, - atë shtëlliz se ta dish, more dhaskal (kurrë s’më pati thënë mësues) jeta i gjan atij lëmshit që, po u shtëlliz keqas, nuk ka perëndi që ta vërë në islla më. Ja, - ta thotë xha Trushi ty. - Qeshte dhe kishte një qeshje të pastër prej babaxhani dhe, veçanërisht, sytë i merrnin një shkëlqim të veçantë. - Kishim ne, këtu, në fshatin tënë, një bej që kish blerë tërë ç’të sheh syri anë e përqark, ndaj dhe fshati u quajt Çiflig, domethënë, pronë e atij beut. Këtu ngjitur një bej tjetër dhe fshati quhet Alibejas (fshati i Aliut?!) . Mirë, o të keqen xha Trushi tyja (ty) , po këtej nga ne s’ka as Ali, as Haxhi. Po kështu e gjetëm, de. Sa më erdhi koha e këtij të “Vafrit” (varfërit) - e kish fjalën për Enver Hoxhën - . Më t’u ra, or tunjatjeta, e më t’m'i bëri ja kështu me gjisht (gisht) në gojë si xha Trushi?!Dhe prapë ia dha të qeshurit. - Pse ti, xha Trushi, je keq?- provokova unë. Dhe ai:- E di, mor dhaskal, e di ku godet. Po të mos kishnjam (kisha) besim, as që flisja unë, po ta kam blerë mëndjen. Se tek sytë kam pasqyrën unë. Ti m’i ngul, kur të flas, dhe unë si në pasqyrë shoh shpyrtin (shpirtin) . Hë- dhe bëri sikur e harroi pyetjen provokuese timen, - ti më pyete në është mirë apo keq xha Trushi. Unë që të dalë në kut me familjen dua pesëmijë lekë në 15- ditësh, për të marrë, marrë njëmijë treqind, bëje hesapin vetë tija (ti) , se je me gramë. . . Po fshati që duket, nuk do kallauz, dhaskal!Po dëgjo këtu:- Im atë (ndjesë i patë shpyrti dhe bëri kryq) ngordhi?!- Si ngordhi?- s’m'u ndënj mua pa ndërhyr. Ngordhi, ngordhi për kafshatën e bukës, more dhaskal. Dhe u kam thënë çunave:- Gjetët, gjakundi, kokrrën e bereqetit, uluni e merreni e ma sillni në shtëpi. Gjetët paranë, bëni si të doni. Se vjen një kohë- xha Trushi e ka parë- që paraja nuk shkon. Se nuk ka mall për t’u blerë. Dhe paraja nuk hahet, dhaskal.
Iku dhe “Merhumi” (Mbreti Zog) , pa më të erdhi ky i “Vafëri” (Enveri) dhe tha: - T’ua marrëm bejlerëve dhe agallarëve dhe t’ua japim të vafërve si xha Trushi, me demek!
Ne po u bëmë me krahë dhe mend po fluturonim. - Po juve edhe ua dhanë, - sulmova unë. - Neve, ore neve, po kjo e dhëna qe pak si jangllësh, kur thotë turku, se pat avazin mrapa (mbrapa) si ajo qemania e Nastradinit. Se vërtet na i dhanë, po më të ardhi ajo ” komprativa ” (kooperativa) dhe na i ” mshiu ” (fshiu) të gjitha. Me një dorë na i dha, me të dyja na i mshiu (fshiu) . Dhe Lluka, bashkëfshatari ynë, paskësh thënë atje në mejdan:- Hëm na i dhe, hëm na i more, o moj bythëza shaptore!Unë po ia dhashë të qeshurit, por xha Trushi, tregoi se vërtet tha Lluka kaq, por një të ardhur ata të ” hyqymetit ” që jo vetëm e telendisën, por edhe e damkosën ” kolak ” . Keq kjo fjalë ” kolak ” se tek LLuka s’shkel më njeri sikur ka kolerën. ” Usta ” ky ” mbreti ” i ri, dhaskal!Na gjeti si me atë punën e gomarëve. U gëzuan gomarët se vdiq samarxhiu i vjetër. Mirëpo kur erdhi samarxhiu i ri, ky, sa t’ua merrte dorën samarëve, ua bëri kurrizin copë. Se ta themi këtu dhe ta lëmë po këtu:- E dreq (drejtë) nuk qe që të gëzonesh ti se do marrësh mallin e atij tjetrit (siç edhe ubë) po ja që ai djallo interes është i ëmbël, dhaskal. - More, s’të kam pyetur, e di ti si është puna e interesit?Dhe, kur pa, që ngrita supet, vazhdoi:- Kur lindi ropi (robi- njeriu) i parë, pa aty, para këmbëve një ç’të të them, një si ” malukat ” apo ” taratakut ” , dhe nuk dinte si ta thërriste. Mendohu, mendohu, çfarë t’i them. . . dhe ja e zbrazi:- Mirëmëngjes, o interes!!!Dhe ” malukati ” iu përgjigj:- Mirëmëngjes!E sheh, ka lindur para ropit interesi dhe nuk vdes kurrë, dhaskal!. . . E që të mos e zgjat më xha Trushi muhabetin ja tek po ta them dhe vëre vëth në vesh:- Ne e kemi mbretin “axhami”(1) , dhaskal. Sa të rritet “qyja” (ky) , populli do vuajë. Dhe xha Trushi që mos qoftë, po kështu. ” Axhami ” po, yrnekun po të keq ( eka marrë në Moskov) . Dhe, pasi më hodhi duarët në qafë, më tha:- Ika, dhaskal, ika se po më presin për matan. Ju që jini të rinj edhe mund të shpresoni, po sëra ime aha: siç erdhën dhe po ikin. . .
Iku. . . po pas më la atë porosinë, “sa të jetë Mbreti “axhami” , populli do vuajë. . .” . Po vallë, a u rrit ky ” mbreti ” për Shqipërinë ndonjëherë?!. . .

1. axhami (tur) - i vogël.

Përparim Hysi, vjeshtë e vitit 1997
Dërguar për ” peshkupauje ” më 13 qershor 2007

11 qershor, 2007

Poezi - Lirika të një plaku

1.Më dehu aroma jote

Ç’më dehu,ç’më dehu aroma jote
Që kishe si lule sot,në mëngjes,
Më dehu si erë prej kulloshtre
Se era e kulloshtrës më ndez.

Më ndezi mua zjarr e flakë
I ndezur,i tëri rashë mbi ty!
Po flakës iu përgjigje me flakë
U dogjëm,u “falëm” të dy…

30 maj 2001


2.Topuzi i flokëve

Topuzi i flokëve pas qafës
Më qëllon mua drejt e në kokë!
Mendja,nga goditja,vjen anës
S’e di,s’e di a ngrihem dot?!

Sytë i kam ngulur mbi topuz
Kam frikë mos më godit prapë?!
Tani me sy më shtie me”Obuz”
Dhe digjem të dy në flakë

Pas flakës çdo gjë bëhet hi
(po ne të dy qenkemi gjallë?!)
Unë,po dihet,jam Gjergj Elez Ali
Ti,sigurisht,shtojzovallë…

30 maj 2001


3.Zbërthyer…

Zbërthyer pullën e bluzës e të feks si dardhë gjiri
Pak unë sytë i hedh bluzës,porse syri mbetë tek gjiri?!
Se s’duroj,jam i babëzitur,se kam kohë pa ngrënë “dardhë”
Ndaj po rri si i goditur( sa vë gojë tek gjiri i bardhë!)

Dua të mbushem pak me frymë(të fitoj unë energji)
Se jam bërë,i tëri,tym(dua të pi,moj,dua të pi!)
Sa shoh gjirin e zbuluar që më shfaqet porsi dardhë
Më hip nepsi,jam”urtuar”(e kafshoj:tak shpirti m’u ngjallë…)

30 maj 2001


4.Më thotë një zonjë

Eh,-më thotë një zonjë mua,- e kam çupën unë të bukur?
Ke parë zonja u”tërbua”:si t’më pyesi për një kukull!
Sepse çupa s’është e vogël,po me këmbë në yzengji
Mua më vjen mendja rrotull( t’i përgjigjem:hiç nuk di!)

I bëj bisht kësaj pyetje(e kaloj si me marifet?!)
Çupën e shikoj me vërejtje(është si Miss i vërtetë!)
Porse zonja krejt si djalle(ma bën pyetjen,mua,sërish)
Më kujton një kohë me malle(kur u deshëm”miturisht!)

Aluzioni qe i shprehur(si për mua dhe për atë)
Porse pyetja më ka”dredhur”(diçka fshihej nëpër të?!)
Sepse zonja i bie pragut( të dëgjojë më mirë,tash,dera?!)
Vallahi që mua,plakut,seç m’u duk që erdh pranvera…

26 maj 2001


5.Në se…

Në se kokën kam me thinja,në se vërsa po më ikën,
Ku ta dija?Ku ta dija që dëshirat nuk m’u fikën?
Por,përkundra,mbushem det(mbushem det e det me valë)
Bëhem unë ashik vërtet,sikur ja dhe u bësh djalë.

Se kur shoh një dallandyshe(dallandyshe sqepgërshërë)
E kthej ndryshe,e kthej ndryshe(lëshoj çika,unë,i tërë)
Si një bletë që zë roit(e kërkon gjëkundi zgjua)
Dashuria më godit(ah,t’më marri dreqi mua…)

26 maj 2001



6.Ah,fustani i zi!

Ah,fustani i zi,që sot paske veshur!
Sa mirë që të rri(kush ta paska qepur?)
S’di në e ke veshur për modë a për hall
Në e ke për hall,hallin vetë e marr.

Dukesh shumë e bukur,si të jesh perri
Bëj që të largohem,mendja mbetë tek ti.
Se të them të drejtën,dukesh si një Miss
Ah,fustani i zi,ç’po më kokoliz!…

2o maj 2001


7.Një zonjë

Një zonjë që shërben në klub
Më ndez si zjarr me sytë e saj
Dhe krejt pusullën unë e humb
sado plak,s’e kam kollaj.

Kjo zonjë fine ka plot hire
Më ndez si prush me sytë si dritë!
Po unë s’kullos dot n’ato”çaire”
Se më s’kam dhëmbë dhe jam “i mpitë”

Një zonjë që shërben në klub
(jo,po kush është?Sa kurreshtarë!)
Ç’ju duhet juve,kur unë po humb
Më “qani” hallin se jam për t’u qarë…

24 korrik 2001


8.Ma zgjate lulen

Ti ma zgjate lulen mua
Më the:-Merri pakëz erë!
Jo,-të thashë,-nuk e dua?!
Të dua ty që je pranverë!

Jo se lulet nuk i dua
Dhe ato,moj,s’i bëj hasha!
Porse ty,moj të dua
Kur ka dasëm,s’shkoj për shkarpa…

18 maj 2001


9.Edhe Zoti

Edhe Zoti lart mbaka pak hatër?!
Se nuk ka se si(ty si të ka bërë!)
Mbledhur bukuria(ku është e ku s’është)
Bobo syri yt(ah,çfarë syri është!)

Pale faqa jote,e butë kadife
Trupi yt i hollë(sjell si në gone!)
Epo kjo s’durohet(vallë,jam prej guri?)
Ndaj ndodhi”hataja(iku nga unë burri…)

17 maj 2001


10.Cigania

Cigania me sy të zesë si qymyri
S’e di as vetë që ne zemër më hyri.
Në zemër më hyri,nga zemra s’më del
E shoh me sy dhe gojën s’e çelë.

Pra,gojën s’e çelë sikur jam mehit
Mos di kjo,cigania,gjë nga “magjitë?!”
S’ka si është ndryshe,më”vrau” me të parë
Pa pikën e turpit,pas saj bredh manar.

Po ju pse çuditeni?Po bredh pas ciganes?!
Pa shiheni me sy e të vjenë mendja anës!
Sa syrin ulli ta ngulë si shigjetë
Të vdekur të lë!Të ngjallë,në do vetë…

14 shkurt 2002


11.Pa “shaka”

Mirë llërët jashtë(gjoksin pse zbuluar?!)
Apo më fut djallin,mua,për t’më ngacmuar?
Po fundi i shkurtër,pesë pëllëmbë i çarë?!
Unë po jam “dritëskurtër”(afrohem për të parë?!)

Të tëra i pashë(asnjë çikë s’u nginja)
Dhe më zuri etja(më dhe gjinë ta pija)
Më hipi fuqia,u bëra me krahë!
Pas”pirjes” dua”ngrënie”(e kam pa”shaka”…)

14 shkurt 2002

Përparim Hysi,dërguar për ”peshkupaujë” më 9 qershor 2007

08 qershor, 2007

Rune “Eksiqi”

E quanin Harun, po shkurtimisht i thërrisnin Rune. I mbeti kështu dhe kaq! Por ai”Eksiqi”, mendoj unë, i mbeti kot së koti? ! Kot së koti , po vajti dhe shkoi. Se paranomë e pati, por ke parë ti, iu ngjit si me tutkall dhe, sado që u rrit, i thonin po ashtu: Rune Eksiqi! Por kësaj i thonë që ta pësosh kot fare, se kot fare e pësoi dhe Runia.

Dhe ja se si ka ndodhur:

Gjyshi i Runes, Kasëmi, ishte duke krasitur hardhitë. Ai krasiste dhe nipi, Runia, lozte aty nëpër këmbët e gjyshit. Ndodhi që ato të shkreta gërshërë e “kafshuan” gjyshin në gisht dhe i vërshoi gjaku. Sakaq dhe gjyshi i thirri: -Rune, nxirre bilen shpejt dhe përmirre gjyshin këtu(gjyshi shënoi vendin nga zbriste gjaku). Runia qe i vogël, rreth 5-vjeç dhe, sado e çuditshme që iu duk kërkesa e gjyshit, bëri ashtu siç i tha ai. Por. . . dhe këtu fillon taksirati për të. Për Runen, pra.

Kish kaluar nja dy muaj nga kjo histori dhe në shtëpinë e Runes bëhej një gosti(mbledhur farë e fis, miq, burra e gra)dhe Runia, tek lozte, do ti që të rrëxohet dhe një copë xham i preu gishtin. Duke qarë nga dhimbja, dhe ca se u tremb nga gjaku që i pikonte, vrapoi në odën e miqëve dhe iu drejtua gjysh Kasëmit: -Gjyshi, nxirre shpejt bilen dhe përmirre Runen këtu? ! Ndërsa gostiarët ranë përmbys me këtë çiltërsi të Runes, gjysh Kasëmi, i mbuluar me turp nga të ftuarit, i bërtiti: -U lanet paçë, more eksiq! Se eksiq dhe kaluar eksiqit je! Dhe kështu nga ajo ditë i mbeti kjo nofkë dhe mezalla se iu nda. Sa, për mua, që e kam njohur dhe kam qenë moshtar me Runen, them që ai vetëm eksiq nuk qe. Po qe i çiltër dhe gjërat i thoshte ashtu, hapur. Ose të paktën i thoshte ashtu si i mendonte. As nuk fshihte gjë, edhe sikur kjo gjëja që do tregonte ta ngarkonte me faj. Kur them kështu, jam dëshmitar jo vetëm unë, por dhe të tërë ata që e kanë njohur Runen.

Ishim në klasën e parë. Ka qenë viti 1948. Epo do të thoni: -More histori do bësh a si? Jo vitin e theksoj për diçka tjetër. Për t’ju treguar juve, lexuesëve, se ishin vitet e pasçlirimit kur, të sapodalë nga lufta, fshati(dhe jo vetëm fshati) përjetonte një varfëri të pacakë. Unë, për veten time, dhe jo vetëm unë, shkoja në shkollë, shpesh, edhe zbathur. Edhe Runia po kështu. Se dhe ai i varfër qe. Mësuesen e kishim si kartolinë: të bukur po, të mirë e të dashur që çfarë të thuash! Dhe kjo, mësuesja, kish një të mirë tjetër: na trajtonte si të ishim fëmijë të saj, por ishte edhe kërkuese. Sikur një ditë të mungoje në shkollë, do të ngrinte para klasës(ne e quanim qamet të madh këtë)dhe të bënte një si gjyq të vogël. Dhe, të thuash të drejtën, kurrë s’mungonim në shkollë, veç në rast të ndonjë sëmundjeje. Por ja një ditë nuk erdhi në shkollë Runia. Të nesërmen, mësuesja e ngriti Runen para klasës dhe filloi ta pyesë: -Pse nuk erdhe në shkollë dje? Runia që kurrë s’rrinte pa kthyer përgjigje, këtë herë s’po fliste. Dhe kur mësuesja e ngriti zërin ca më lart duke i mëshuar asaj pse. Runia e “zbrazi”:

-Nuk erdha se nëna më lau brekët! ! ! Ne ia dhamë të qeshurit, kurse mësuesja u skuq sikur të kish bërë faj, i tha: -Mirë, shko dhe mos mungo më. Dhe Runia, për herë të parë me kokë të varur, u ul pranë meje. E pse qenkësh eksiq, pse thoshte të vërtetën. Po ja e tillë qe ngjëndja në ato vite sidomos në fshatra. Po nuk mbaron këtu kjo histori.

Të nesërmen, Runia u nis për në shkollë. Mësuesja, sado që qe nga qyteti, flinte në shtëpinë e një bashkëfshatarit tonë. Mu aty tek shtëpia ku flinte mësuesja, Runia, pa varur në tel rrobat e lara të mësueses. Ou, -mendoi Runia, -s’paskemi shkollë sot, se mësuesja paska larë brekët? ! Dhe u kthye në shtëpi. Mësuesja, pasi bëri apelin, pa që Runia mungonte prapë. -Do ta shihni, -tha ajo, se çfarë do t’i bëj nesër! Erdhi dhe e nesërmja dhe Runia krejt i qetë u ul pranë meje. Kur mësuesja e pa, i tha: -Pa dil pak këtu para klasës. Tani më trego pse nuk erdhe dje në shkollë? Dhe ai: -Jo, mësuese, unë erdha. -Si, erdhe? -s’i udurua asaj. Dhe , menjëherë, u drejtua nga ne: -Qe dje në shkollë Runia? Ne, njëzëri: -Joooo! -E sheh, -tha mësuesja, -nuk ke dhe turp , po vjen dhe gënjen. Jo, nësuese, -tha Runia, -për kokën e nënës unë qeshë(ky qe betimi më i rëndë për ne aso kohe), por kur kalova tek shtëpia e Shefitit(ku rrinte mësuesja), pashë që ti(Runia, se mos ne, s’dinte të fliste në shumës) kishe larë brekët dhe thashë: Mësuesja ka larë brekët, s’paskemi shkollë sot. Dhe u ktheva. Ndërsa uturimë nga të qeshurit, mësuesja mënd po digjej flakë nga turpi, dhe, ashtu, e skuqur i tha: -Shko, ulu në vend.

Dhe ul në vend Runia që, kot së koti, pse thoshë të vërtetën i thoshin eksiqi.

* * *

U rrit Runia dhe, pas ushtrisë, i paska thënë gjyshi: -Rune do të martojmë. Dhe Runia: -Unë e begenis nusen edhe çupë po të jetë? !

Gjyshi ia dha të qeshurit dhe i tha: -Po kur të thonë eksiq, ti më je brinxhi nga mendja! E martuan, por ja, kjo eshkretë martesë, nuk i eci mbarë. Nusja, siç duket , e tradhëtoi dhe Runia, i drejtë siç ishte, iu drejtua gjykatës për ndarje. Gjykatësi, në gjyq e sipër, e paska pyetur Runen: -Përse do ta ndashë gruan? Dhe Runia: -Se e pashë që po puthej me një botë(nuk zinte emër në gojë, se qe i ndershëm). Gjykatësi: -Punë e madhe se po puthej, nuk është arsye kjo për ta ndarë. Runes i hipën: -Mirë, more shoku gjykatës, kur s’qenka punë e madhe kjo puthja me një bot, sillja atë gruan tënde Runes që ta puth se nuk bëhet qameti? ! Gjykatësi, sikur ta kish kafshuar diçka papandehur, kërceu përpjetë nga karrika dhe komnikoi: -Për ofendim të trupit gjykues, Rune”Eksiqi”(po kur i tha dhe ky Eksiqi, pa? ! )dënohet me 6-muaj burg. Dhe kështu jo vetëm e dënuan Runen, po i bërë kokërr për kokërr ca në Bulqizë dhe ca në Borsh. E morën më qafë dhe, siç më tregoi kur doli nga burgu(kish katandisur gjysëm njeriu)në Bulqizë, kur s’bëja normën, më zhvishnin gjysëm lakuriq dhe, mbasi m’i shkelnin dhunshëm me këpucët alpine këmbët e zbathura, më vinin në një qeli që pikonte. Dhe, duket atje mori ftomë të rëndë.

Dhe vdiq i ri Runia i shkretë. Që veç eksiq nuk ishte. Paqe mbi varrin e Runes, të mirit, të çiltërtit deri në paharrim. Amen! . . .

1. eksiq(tur. )-i mangët

Përparim Hysi, qershor 1987

04 qershor, 2007

Dervishi (tregim)

Kish mbetur jetim dhe, thuaj, qe rritur rrugëve. Bukën e përditshme e nxirrte duke lypur. Por bënte kujdes që në një derë mos dukej dy herë se njerëzit ishin në hall, siç mendonte ai. Kishte dhe raste-dhe s’qenë të pakëta- që dhe mos i jepnin gjë, por kjo as e fyente dhe as e inatoste. Se dora e thatë, çfarë do të japë, në fund të fundit? ! Më tepër lypte fshatrave se jo vetëm që fshatarkat (se ato gjente në shtëpi, de! ) ishin më bujare se qytetëset, por, veç kësaj, qyteti qe larg. Dhe në qytet, kur shkonte, duket sikur do të humbte.

Salltanetet as që i njihte dhe kënaqej me ç’t'i jipnin. Falënderonte nga larg se, elbete, nikoqirja mund të qe e re dhe lypësi nuk kish nge dhe për avaze të tjera. Se mjaft që kish mospasjen, por dhe ato këmborë i duheshin! Ndryshe, krejt ndryshe ndodhte kur gjente ndonjë plakë në shtëpi. Me të jo vetëm shtrohej në muhabet, por nuk harronte kurrë që me shënjë mirësjelljeje t’i puthte dorën hëm kur mbrrinte, edhe kur largohej. Pak këtu dhe pak atje, ai e shtynte si e shtynte.

Një ditë (po shkelte për herë të parë në atë fshat) i hodhi sytë dhe pa një ndërtesë të madhe: më e lartë se të tjerat dhe veç fshatit, pranë një pylli. Ajo që i bëri përshtypje qe fakti se ndërtesa dukej qe qarkuar me një mur, një pjesë e të cilit dukej që larg. -Atje do shkoj, -vendosi. Kur u afrua tek ndërtesa që shihej nga larg, pa se jovetëm muri e kish qarkuar atë, por ngjitur me të qe dhe një pyll pa fund që, thuaj, se të lemeriste me drurët e dëndur e të lartë. Lypsit as që i duhej me pyllin. Trokiti tek porta hyrëse që, ndryshe nga shtëpitë e fshatit, ish me dy kanata. “Kam rënë në”gjah” të mirë”, -mendoi me vete.

Trokiti. E ku dëgjohej e trokitura në këtë portë të madhe? ! Përsëriti të trokiturat edhe më të forta dhe, kur u bë gati, ta qëllonte me grusht, një kanatë e portës u hap, dhe u rrëfye një dervish. Njerëzit e “tarikatit” i njihte nga veshja dhe lypsi, sa e pa dervishin, bëri një temena. Dervishi: -Përse ke ardhur? Ke sjell gjë për teqenë apo do të takosh Babanë? Lypsi, zënë ngushtë nga këto pyetje, rrinte sikur kish bërë faj! Por kjo gjendje s’mund të vazhdonte, ndaj i tha:

-Dua ndonjë gjë për të ngrënë!
Dervishi: -Shtëpia e Zotit ka për të gjithë dhe, si i priu përpara, e çoi drejt e në kuzhinë. Atje i dhanë për të ngrënë dhe, kur mbaroi së ngrëni, dervishi e pyeti:
-Nuk ke njeri në shtëpi?
-JO.
-Po të afërm a ke?
-JO, jo. Jam i vetëm, asnjë të afërm nuk kam.
-Pa prit pak këtu, -i tha dervishi, -të vete t’i them Babait, se, ndoshta, të mbajmë këtu si çirak për të të bërë dervish.
-Mirë, - pranoi lypësi.
-Ejvalla, nazar! -tha dervishi, pasi u përkul para Babait të teqesë. Babai, veshur me takëmet e Tarikatit që përfaqësonte, ulur mbi një shilte të trashë, nën hijen e një lisi, këmbët e zbathura i kish vënë mbi një jar ujë të ftohtë, se qe gusht e të piqej koka; mbi një palare të madhe ish një kokë e pjekur dashi, një faqore rakije dhe, veç tyre, ndonjë frut i stinës.
-Ejvalla, nazar, -përsëdyti dervishi.
-Çfarë ka ndodhur, evlat? -iu kthye me pyetje dervishit, Babai.
-Ka ardhur një lypës, njeri pa njeri, dhe thashë të të pyesë ndoshta e marrim çirak që ta bëjmë dervish.
-Visheni dhe ma sillni t’hu, -urdhëroi Babai.
-Shpëtove, lumëzi, - i tha dervishi lypësit. Por dëgjo: për çdo gjë që do të pyesë Babai, para se të flasësh, do t’i thuash”Ejvalla, nazar! -dëgjove? Kur të vesh, do t’i puthësh dorën dhe, kur të ikësh, po kështu. Tani hajde të çoj tek dervish Bektashi që të marrësh rrobet e Tarikatit tonë.

E veshi dhe, pasi priu përpara, ia paraqiti Babait. “Dervishi i ri” kaloi përmjet një bahçeje që të lezetoste shpirtin dhe më tutje pa një pyll që të lemeriste. Ndërkaq, arritën tek Babai. Babai, veshur me atë rrobën e bukur qendisur me fijëza të arta, me atë sarëkun në kokë , të bardhë me një jeshile të zënë, me mjekrrën e bardhë dëborë e të gjatë, dukej edhe më madhështor se sa qe dhe të dukej, për një çast, sikur, me të vërtetë, qe më afër zotit.

-Jetim je?
-Hejvalla, nazar, jetim jam.
-S’ke të afërm!
-Jo, asnjë. Mirë, more dervish Musai, ma ço tek dervish Bektashi, të marrë një kosore, një kazëm e një lopatë e ma sillni prapë këtu. Kështu dhe bënë. Kur u paraqit, për së dyti, lypësit sikur i erdhi goja dhe i tha:
-Ejvalla, nazar, sa bahçe e bukur kjo e teqesë!

Dhe Babai: -E bukur, e bukur, po ka qenë pyll si ky që më është këtu. Por një dervish si puna jote e ktheu në bahçe. Prandaj më fillo dhe ma pastro këtë pyllthin këtu se do ta zgjeroj bahçenë! “Dervishi i ri” sa s’kafshoi buzën nga e keqja! Të pastronte pyllin? ! Dhe kush? Ai që tërë jetën nuk kish zënë punë me dorë. . . Ah, o Baba, t’u bëftë mu në grykë! -mallkoi me vete lypësi. Të mbettë ndonjë copë nga ato që po ha, po ashtu shul e shul, e të shkosh mu në esfel! Po sa para bënin këto mallkime tani?

Filloi dhe, pas një ore, kullonte djersë. Të çlodhej, s’e linte syri prej zhgabonje i babait. Aq po lodhej sa i dukej se në këtë vapë xërr do pëllciste si ndonjë flluskë sapuni apo si ato gjinkallat e mjera që këndonin mbi trungjet e pemëve. Forcat po e linin dhe, veç kësaj, dëgjoi zërin e Babait:

-More evlat, jepu duarëve se ashtu si e ke zënë as mot nuk e mbaron. Se dëgjo këtu: as Zoti nuk i do dembelët? ! Tani “Dervishi i ri” ish gati që t’i sulej me atë kosoren Babait dhe, pastaj, të ikte nga sytë këmbët. Nga shiu, ra në breshër.

Sakaq, që nga pylli po dëgjohej angullima rrënqethse e një qeni. Ulërima qe aq e madhe, sa “dervishit” nuk iu durua:

-Baba, -tha, -të vete të shoh se çfarë ka ai qeni?
-Shko, -e lejoi Babai, -po mos u vono se je mbrapa me punën.

U bë me krahë dhe gati fluturoi për në pyll. Pas ulërimës e gjeti kafshën dhe u çudit. I zoti i qenit, pasi e kish lidhur qenin pas një peme, i binte me myk të sopatës në kokë dhe në trup. Ndaj dhe qeni ulërinte.

-Pse e rreh qenin? -e pyeti “dervishi”
-Po e rrah, po s’po ngordh, se më hëngri bukën e drekës!
-Si, or si? Mos e rrih, - i tha “dervishi”, bjema mua t’ia çoj Babait të teqesë. E vë Babai që të qërojë pyllin dhe ngordh vet pastaj. . .

Përparim Hysi, gusht 1973
Dërguar për”peshkupauje” më 4 qershor 2007