Tregim (përsiatje nga koha e ushtrisë)
Mikut tim, Sotiraq Ferro!
Ushtria! A nuk është ajo si njëmarrëzi e domosdoshme, siç thoshte Napoleoni. Populli, dikur, ushtrinë e ka quajtur si një shkollë ku, edhe në se nuk arsimoheshe, do të vije patjetër si tjetër njeri. Do ishe rritur pakësa. Ose më saktë: do ishe pjekur dhe burrëruar. Në ktheheshe ashtu siç edhe kishe vajtur ushtar, atëhere, po populii, thoshte: -Këtij hiqi fillin, nuk nxurri në ushtri e si mund të bëhet rob më? !
Dhe, kur e ke kohën kështu me pashë siç e kam dhe unë, s’do mend do ta çosh kapistallin e kujtimeve edhe andej nga vitet e ushtrisë, të cilat, sado të ashpëra, prapë se prapë, të vijnë e të rrinë para sysh me të gjitha atributet e tyre. Në këtë mori kujtimesh, ka prej tyre që janë për t’u përshkruar dhe për t’u mbjatur mend. Se, në se unë që po shkruaj dhe shumë bashkëshokë të mi i kemi hequr në kurriz këto gjëra që sot të bëjnë edhe për të qeshur, por edhe për të qarë, ia vlejnë për t’i vënë një notë asaj ushtrisë sonë të vështirë e të rreptë që operoi herë me modelet jugosllave, herë me ato sovjetike dhe, së fundi, me ato kineze. Në këtë mozaik modelesh (njëri më i keq se tjetri) ajo që mund të mbahet si emërues i përbashkët, është që as më pak dhe as më shumë veç fakti që grada më e ulët (që fillonte me ushtarin) dhe deri në shkallën më të lartë (komandantin e përgjithshëm: atëherë-Enveri “Inë”-dhe mandej shoku Ramiz e, fill pas tyre z. . . eCo) , mvarësia ishte njësoj si e atij rajasë para agait. Domethënë, agai i merrte erzin rajasë dhe ky nuk kishte gojë të ankohej. E shkruar e zezë mbi të bardhë: -Zbato urdhërin dhe, mandej, dil në raport. Që po t’i vëshë kësaj thënie analogen në gjuhën e popullit, do të thoshte: -Vdis, pa ngjallu!
E di që gjithë kjo hyrje ime e gjatë do të mërzisë lexuesit, por e bëj sa për një sqarim të vogël.
* * *
Në një të ftohtë brisk të 14 dhjetorit 1964, 14 ushtarë të rinj, të sapomobilizuar, midis të cilëve qeshe dhe vete, nën komandën e një oficeri, na morën dhe na çuan nja dy km larg repartit, buzë detit. (ushtrinë e kam bërë në Shëngjin! ) . Aty, sado që të ftohtit të shponte kurrizin dhe ne po na dridhej buza, na urdhëruan që të zhvishemi lakuriq duke mbajtur vetëm të mbathurat në trup. Askush nuk bëzante. Kur oficeri urdhëroi: -E shihni atë anijen atje në det (mund të ishte pa frikë rreth 30m larg bregut) do shkoni atje dhe do shkarkoni drutë që janë mbi të. Se anija, -sqaroi oficeri, -ka mbetur ne cektinë dhe s’del dot në breg. Se drutë, -vazhdoi ai, -janë për repartin dhe për familjet e oficerëve. Dhe si prifti, kur thonë që kërceu nga belaja, u hodhëm në det. NJë nga një dhe, pastaj, sikur e vumë poshtë të ftohtit (a nuk thonë që e ftohta del me të ftohtë? ) vazhduam të shkarkonim atë anije që, na dukej, se nuk do të mbaronte kurrë së shkarkuari, aq shumë qe ngarkuar. Sakaq dhe oficerin erdhi dhe e zevendësoi një oficer me gradë më të lartë. Qe major dhe siç i raportoi, ky tjetri, kish detyrën e komisarit. Komisari ish më usta se i pari. U ul mbi një pemë aty afër bregdetit dhe ndiqte punën tonë. Duhet thënë që nga të gjithë (qemë 14-veta, që të gjithë fierakë dhe, pothuaj, asnjë nuk qe të paktën, pa shkollë të mesme) unë dhe miku im, Sotiraq Ferro qemë më hileqarët e atij grupi të mundimshëm. Unë, sa herë dilja nga deti për në stere (tokë) , bëja si bëja dhe derdhesha tutje pas shkurresh, gjoja, isha keq me urinën. Por komisarit që nuk i shpëtonte gjë nga sytë më thirri në raport:
-Nga je ti, mik vëllai? Unë: -Nga Fieri. -Më thuaj pak emrin dhe mbiemrin. Ia thashë. Ai: -Po të pyes për origjinën se sikur s’më duket për nga Fieri mbiemëri yt. Unë, duke pasur jo pak oficerë “Hys”, i them si me krenari: -Prindërit e mi janë nga Skrapari! Ai: -Ja, kështu mik vëllai, kam unë një mik nga ata Hysët e Skraparit që thotë: -S’kalohet viti duke bërë shurrën, po shtroju punës. . . Domethënë, qeshë qarë kot nga ai oficeri i ri, ky i vjetëri (kot nuk qe komisar) na i bëri kurrizin vrimë. E, çfarë t’ju them? E shtrova kurrizin, po anija si ai karakolli që të trembë me atë lartësinë etij dhe ajo, me atë ngarkesën e saj, i ngjante një “gogoli”që kish hapur gojën për të na ngrënë. . Dreka kaloi dhe ne, sikur të mos kish ardhur i gjithë reparti në ndihmë, dhe sot do të ishim duke shkarkuar atë anijen që kish mbetur në cektinë. Në perëndim të diellit, me ndihmën e të porsaardhurve, i dhamë fund atij kalvari të mundimshëm. Pa bukë, të lodhur, të ndërmuar, të mbërdhiur nga ai i ftohtë thikë dhe, si llafazan që jam dhe nga që më kish ardhur në majë të hundës, iu lëshova majorit (e, ku ta dija unë seç ishte ushtria? ) : -Shoku major, -i them. -Ç’do? Ja, -i thashë jo pa shejtanllëk, dua të them këtë: Edhe unë kam një shok skarparli. E, po pastaj, -m’u kthye ai. Ai shoku im, që thuaj ti shoku major këndonte një këngë. -Ç’këngë? -u bë kurioz majori. Kënga thoshte, -vazhdova unë, -/O devish, o rondokop/drekë e darkë i ha tok/Ushtarët ia dhanë të qeshurit dhe majori i sëmbuar keqas, më tha: -Qenke llafazan i madh. E shikon atë trarun aty. Hidhe në kurriz dhe drejt e në repart. Domethënë, thelë përmbi bisht. Epo ç’vjellë goja, e paguan zverku. Ndërsa unë hodha trarin mbi kurriz (ju lutem a s’e gozhuduan Krishtin kështu? ! ) , shokët të gjithë ndonjë të ngjajshmin tim, por unë më të rëndin, zvarrë këmbët, nëpër rërë, e , si iu ngjitëm një maloreje që s’qe dhe aq e butë, sosëm në repart. Rrugës u them shokëve: -
Na paskan sjellë për të vdekur këtu. (dhe qenë të mirë të gjithë ata se, sikur edhe njëri t’i thoshte komisarit këto fjalët e mija, e dije vetë ku përfundoje) . Me shpirt në dhëmbë e çova trarin tek reparti dhe, sa mbrritëm në kuzhinë, Lefteri (kuzhinieri) hapi derën dhe ne u lëshuam të uritur drejt pjatave të supës që, ca se kishin që në ora dy mbi pjata, ca se të ftohtit e dhjetorit qe brisk, qe kthyer në një ngriçë si xhel. Po uria ha dhe dërasën dhe jo atë supë të ftohtë akull. Dhe, për çudi, kur Kristaqi (ndjesë i pastë shpirti se ka vdekur tanimë! ) zuri t’i binte fizarmonikës, ne dy dhe nga dy, filluam të kërcejmë sipas ritmit dhe sakaq u them shokëve: -Qëpar ju gënjeva. Ju thashë që do vdesim. Shiko se ç’të vdekur po bëjmë dhe vazhdova kërcimin. Do të thoni ju: -Ore ç’na dërdëllis kokën me ato gjëra. Ku na rreh ne e ku të reh ty? ! Epo unë nuk vrapoj dot ndaj atyre temave fluturake si ato mitet e mashkullit, jo po orgazmat, jo po vagina (tema të nxehta këto domosdo) , po ja që pres me të vjetrën.
* * *
Dëgjoni, na shpjegonte oficeri instruktor, në vend roje pushkën e ke të mbushur, fishekun mos ia fut në gojë, dhe duhet ta ndalosh atë që të vjenë në vendroje, duke thirrur tri herë (me intervale: ndal! Ndal se do të qëlloj dhe kur ky (kushdo që të jetë) nuk ndalon, atëherë mbushe pushkën (vëri fishekun në gojë) . Mirë, o mirë, po qenkësh një ushtar që për karrierë, kish bërë emër për guxim. Ndërsa ti i thoshje”ndal”, ky, birçja, vraponte drejt teje dhe, sakaq, të merrte pushkën nga dora. Dhe kish turpëruar nja 4-5 ushtarë dhe po përgatitej që, për këtë guxim dhe shkathësi njëherësh, ta pranonin në parti. Se qe nder i madh të pranoheshe në parti atë kohë, pse ta mohojmë. Ushtari i”guximshëm” kish fituar simpatinë e komandës dhe urrejtjen e ushtarëve. Sidomos dy malësorë nga Puka dhe një nga Mirëdita as që e shihnin dot me sy. Epo kur qenit i vjen ngordhja, -thonë, -vete e përmjerrë në derë të xhamisë. Roje një djalë nga Dibra ( e kush ia mban mend emrin tani pas dyzet ekusur vjetësh? ! ) . Sedërli i madh, me një kokë sa një shpellë. As trazonte njeri, por as hante bodec. Se, ndërsa emrin s’ia mbaj mend, po veprimet ia mbaj ama. E nxjerë para repartit të rreshtuar këtë dibranin komandanti (seç kish bërë, me demek! ) dhe e bën me fjalë për ujë tëftohtë. Po fjalë të rënda, ama. Ai, atje, duro-duro para gati 50 ushtarëve, kur tak i kërcen ai delli i malësorit dhe më t’i përvishet oficerit: -Shoku toger kur nxehem una ia q. . . nënën babës sim dhe jo ty që nuk të kam gja fare dhe hajd ta mbaje. Por qe i shpejtë oficeri që si me këmbë të lepurit, u fsheh brenda kapanonit. E; pra, me shërbim ky dibrani qe. Por atij tjetrit, “trimit” duket i kish thirrur dikush lart. Dhe niset në “aksion”. Mendon sa, roja, t’më thotë”ndal” me të parën, unë i jam afruar me vrap dhe, sakaq, ia marr pushkën. Hesap pa pyetur hanxhinë. Dibrani ia kish vënë atë të shkretë në gojë dhe, kur ndjeu që dikush i afrohet, thotë ndal (sa për triherë) dhe hap zjarr. E vrau. Erdhën dhe e arrrestojnë. Betohet se i ka thënë ndal tri herë e ku të di unë, po nuk e besojnë. Kur vijnë dëshmitarët. Pukjani: -Për besë e fe, or ti, tri herë e kam ndi që i ka thanë “ndal! . E tjetri kështu. E tjetri, e tjetri. Shkurt: dibrani shpëtoi dhe e transferuan në një repart tjetër, larg nga rethi ynë (më duket në jug) .
* * *
Reparti ynë kishte gati mbi 100-ushtarë. Bënim jetë gazerme dhe, për të dalë deri në Shëngjin, që nuk ish jo qytet, por as sa një qytezë, duhet të kishe rezultate të larta në disiplinë dhe gjithë treguesit e tjerë që nuk qenë të pakta. Postën (letrat se rrallë mund të vinte gazetë, vetëm po të abonoheshe privatisht) për të gjithë repartin i tërhiqte një ushtar që punonte në zyrën sekrete te repartit. E them këtë abonimin se në Shëngjin vetëm unë qeshë abonuar në gazetën “Drita”. Ish kohë plazhi. Një shkrimtar nga Shkodra, kish ardhur për pushime dhe në postë kish marrë”Dritën”. I thoni ushtarit (natyrisht, s’më njihte) se e ka marrë shkirmtari X. . . (Ateherë ky, shkrimtari, kish botuar vetëm një libërth të vogël, por, me demek, qe “shkrimtar” dhe s’do t’i prishej ajka? ! ) . Po kur e gjeta (se laj -thaj vetëm një gazetë”Drita”kishte) më t’iu përvesha dhe e bëra për ujë të ftohtë. -Pse, -i thashë, -qenke shkrimtar dhe marrke gazetën time/E të tjera që tani nuk i mbaj mend. ) Ushtari qe komunist dhe, në aparencë, sillej shumë mirë me ne të tjerët. Mirëpo sikur u bë rrugë që shumë nga ne jo vetëm nuk po mirnim letra, por as edhe lekë nga shtëpia. Dhe qe çudi: që të gjithë ata që ankoheshin se nuk po merrnin letra, ky, ushtari i zyrës sekrete, i merrte, i qeraste dhe , ndonjëherë, u huante dhe lekë. Merri dhe, kur t’i kesh m’i jep. Epo, hë, pra, gjej të tillin të dytë. I thjeshtë po, i ëmbël dhe i shkueshëm që, lëmë o zot, dhe, veç kësaj, hiç fodull. Se të punoje në zyrë sekrete s’qe shaka. Ah, sikur të ishin komunistët kështu! Më thotë mua, Sotiraqi, (Sotiraq Ferro që po i kushtoj dhe tregimin) , dëgjo, unë do ta zë atë që na vjedh të gjithë ato letrat që kanë para brenda. -Si do ta zëshë? -pyeta dyshues unë. Ja se si do ta zë. Mori një qind lekësh dhe me mua si shoqërues, vajti tek klubi i vetëm e Shëngjinit dhe e bëri dhjetëshe. Domethënë, dhejtë dhjetëshe. Mori një zarf të hapur dhe me atë në dorë drejt e në postë, ku dhe vinin letrat tona. -Hava, -i thotë postieres, në këtë zarf unë po fut veç letrës sime, të sajuar kot, edhe këto dhjetë dhjetëshe. Tani unë po e mbyll, në prezencë të dyve, po i vë adresën time të marrësit dhe të dërguesit sikur po më vjen nga Fieri. Të lutem, - i tha Havasë, - tani vëri vulën që u bë hyrje. Ne dyshojmë se postieri (ushtari që merrte postën) na hap letrat dhe ato që kanë para, i gris, pasi merr ato. Ti, Hava, për mundimin, na këto dhe Raqi i zgjati një 50-lekësh, vetëm do t’më thuash që e mori letrën (bashkë me letrat e tjera ai, postieri ynë) . Dhe kështu edhe u bë. Ne shkuam në repart dhe prisnim se ç’do ndodhte me këtë grackë të ngritur nga një mëndje si e Raqit. Pas një ore, erdhi dhe postieri. Prit se mos Sotiraq Ferro të kishte ndonjë letër. JO, Jo. Hiç. Kur postieri i tha që nuk ke gjë dhe pa një dyshim në fytyrën e Raqit, i thotë: -More ç’ke kështu? PO të duhen lekë të jap Unë dhe kur të duash m’i jep. Epo hajde më gjej më ëngjëllor. Po nuk e dinte, ky djall i vockël që hiqej si ëngjell me gjithë atë tesere komunisti, se mendja e Sotirq Ferros ishte e tillë që, po të kish punuar në zbulim, sot do të kish qenë një nga ata që do përmendje me emër. Kish punuar në tregëti dhe puna e kish bërë të tillë që të parashihte rrezikun qoft edhe nga një ënjgëll. E denoncuam “ëngjëllin” në komandë, dëshmitar qeshë unë dhe Havaja dhe “ëngjëllin” që atë ditë e hoqën nga zyra sekrete dhe e përjashtuan nga partia. Qe koha që lirohej dhe nuk e di seç u bë me të.
Siç e shihni, këto janë vetëm ca pasazhe nga koha e ushtrisë sime që, gjithësesi, ka qenë jo vetëm e vështirë, por dhe një shkollë e vërtetë kalitjeje. Kur pashë, në vitet e tranzicionit, që pjessa derrmuese e djemëve që kishin moshë për ushtri, i shmangeshin asaj, s’do mend që nuk më vinte mirë. Se, në fund të fundit, ushtria është një marrëzi e domsodoshme, apo jo?
Po thuajeni fjalën tuaj, de! . . .
Përparim Hysi, 5 korrik 2007
Dërguar për ”peshkupaujë”, më 5 korrik 2007
1 Koment »
e.T thotë:
7 Korrik 2007 @ 4:53 pm
Shume bukur !
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
1 koment:
Faleminderit zotëri për magjitë tuaja të vërteta. Emri im është Zara Matteo. Kjo është vërtet e pabesueshme dhe nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në jetën time. Para se të takohesha me ju, zotëri, unë provova të gjitha mjetet e mundshme që mund të kisha për të sjellë burrin tim mbrapa, por kuptova se asgjë nuk funksionon për mua dhe se burri im ka zhvilluar shumë urrejtje për mua. Mendova se nuk kishte asnjë shpresë për t'u ribashkuar me ish-burrin tim. Por kur lexova komente të mira se si DR WHITE i ndihmon të tjerët, vendosa t'i dërgoj një mesazh përmes WhatsApp: +17168691327. të provoja dhe bëra gjithçka që ai më udhëzoi dhe unë i besova atij dhe unë ndoqa udhëzimet e tij pasi ai më garantoi në 48 orë, dhe pikërisht atëherë më telefonoi ish -im. Zotëri, ne jemi më të lumtur tani se kurrë. Gjithçka duket e përsosur dhe kaq e natyrshme! Faleminderit shumë zotëri për magjitë tuaja autentike dhe të padiskutueshme. këtu përsëri emailin e tij:
wightmagicmaster@gmail.com
.com Ju gjithashtu mund të Whatsapp atij:
+17168691327
Posto një koment