02 korrik, 2007


“Punë, punë natë e ditë
Që të mos shohim kurrë dritë”

Xh. Xhojs

U çudita me thënien e këtij Xhojsit të madh. E gjeta tek”Dublinasit” dhe më befasoi porosia e tij. E kundërt me atë që porosit Naimi Ynë. Dhe, ndërsa përsiatem me këtë thënien e Xhojsit, them më duket sikur ky, Xhojsi, e paska lënë të shkruar këtë sentencë për ne shqiptarët. Se a nuk punuam ne dërrçe për gati gjysëm shekulli dhe , mjerisht, nuk pamë dritë. Të shkruash kundër punës sikur nuk vete. Është si të ecësh në anë të kundërt të rrjedhës, por ja që e tillë është jeta. Ka njerëz në këtë botë që nuk e duan punën. Vërtet këta janë të rrallë, por ja që ka të tillë. Nuk punojnë dhe vate e shkoi. Unë kam njohur të tillë dhe për ta dhe do shkruaj. Se, shyqyr Zotit, tash ka vdekur ajo kohë kur duhet të shkruaje vetëm për heronj pozitivë, se ndryshe përfundoje atje ku s’shihje diell me sy. Natyrisht, nuk jam i vetmi që njoh njerëz të tillë. Dhe ju mund të njihnitë tillë, por këta të”mitë” (më pëlqej që t’i quaj kështu) janë disi më ndryshe: vërtet në jetë nuk kanë zënë punë me dorë, por kur i sheh, bisedon apo ulesh shesh me ta, zë dhe i simpatizon dhe nuk të hiqen nga mendja: se janë jo vetëm plot mend, por u ka lezet fjala. Por ja që atë të shkretë punë e kanë parë, kur thonë në Myzeqe, me hënë përpërjashta. Mirë pra, le të njiheni me ta.

* * *

Me xha Qamilin unë kam kohë që njihem. Që kur unë isha çilimi. ai, moshatar me tim atë, vinte tek ne dhe të thekte me muhabet. Kur bëheshin mbledhje, në vakijate apo ca më shumë në dasma e vinin në qoshe apo në presidiume. Dinte t’u jepte dum problemeve. Qe burrë me mend, pse t’i vijmë anës. Deri sa u plak (rrojti gati 80-vjeç) kurrë nuk zuri punë me dorë. Dhe qe proverbial në llojin e tij. Sado që kishte një tuf fëmijë, as që e vriste mendjen. Barra e shtëpisë binte mbi të shoqen, Lemen, punëtore e madhe kjo që nuk kish shoqe. Dhe thoshte xha Qamili: -Zoti që është lart dhe poshtë shikon më ka thënë mua: -Qamil siç ke ardhur dhe do ikësh nga kjo botë. Larg nga puna! Se puna të ha ymërin? ! E, si thoni ju, mos e dëgjoj unë Zotin? ! Dhe qeshte. Dhe mos kujtoni se xha Qamili qe ndonjë palo burrë, me trupdelikat që dhe t’i qaje hallin/! JO, moreburazer, ishte i lart si lis dhe i trashë sa dy burra bashkë. Po Lemja? T’i fryje, e merrte era? ! PO për punë kjo Lemja e xha Qamilit hante bukë veç. Pa pse qe e tillë pa rriti jo pak por 6 fëmijë. Dhe për fat: që të gjithë për punë i ngjan Lemes. Punëtorë të mëdhenj. Se desh harrova! Qëlloi që xha Qamili qe shjtritur sa gjer-gjatë pranë një mullari kashte pranë kasolles. Kini provuar ato rrezet e diellit mëngjesor, në pranverë? Sa të vjen mirë të të qëllojnë me ato shigjetat qiellore të ngrohta dhe të vënë në gjumë. E, po dremiste aty xha Qamili. E sheh e shoqja, Lemja, dhe i thotë: -Qamil, merr një dorë me byk dhe hidhja lopës. (lopa qe aty pranë: as dy hapa) dhe Qamili: -Jam betuar para Zotit që mos kap punë me dorë dhe kam frikë ta shkel betimin. Dhe nuk e zgjati dorën, sa shkoi vetë Lemja dhe i hodhi lopës. Por njeri pa rrësk, -thonë, - në këtë botë nuk ka. Qëlloi që në kohën e kooperativës të vijë kryetar një i njohur i vjetër i xha Qamilit. Ky ia dinte”huqin” dhe e caktoi roje dite në stallat e kooperativës. A, këtë punë e bënte me qejf: ca se qe në mes njerëzve që punonin, ca se stallat qenë rethuar nga shtëpi dhe kush ia prishte xha Qamilit, për një përshesh me qumësht, për një trahana në dimër apo dhe një pjatë frasule (fasule) në drekë. Kështu e çoi jetën (pa punë) deri sa vdiq.

* * *

Isha ushtar dhe shefi i shtabit më dha listën e zboristëve që do vinin për të bërë zborin në repartin tonë, në Shëngjin të Lezhës. Shiko Hys, -më porositi shefi, - listën e ke. Çdo rezervist do të bëj 100 duaj drizë apo shkurre për të marrë ditën e punës. Përdor pikëzimin e gjyqtarëve të voleybollit, -vazhdoi ai, -që ta kesh më leht.

Shkova tek vendi i punës dhe rezervistët, më thoshin emrin dhe unë bëja shënimet përkatëse. Natyrisht, sot asnjë prejtyre nuk mbaj mend me emër (kanë kaluar 40 vjet e ca) por njërin nuk e harroj kurrë. Qe i ngjashmi i xha Qamilit.

-Si ke njeh, ushtar? -Veta jam Laci. Lac Ismail Dushku dhe, ndërkaq, u ul aty tek këmbët e mia. As pyeti se ç’punë do bënte dhe, pa e prishur terezinë, e nxori kutinë e duhanit, ma zgjati mua, pa që e kundërshtova, vazhdoi ta dridhte me aq kujdes e merak, sa thoshje, se pak po mos e dridhte me delikatesë, duhani nuk do t’i shijonte. Unë as që e trazova se për moshë, pa frikë ishte mbi 40 vjeç ekusur, dhe veç kësaj, ishte një burrë që kishe qejf ta shikoje. Sikur nuk kishte ardhur për zbor, por fill a për mik a për dasëm. I hijshëm po, i veshur shik, me një peliçe meshine me jakë kastori në qafë, me atë plisin e bardhë në kokë, me ato mustaqet e zeza që aq i shkonin, të bënte për vete dhe thoshje: në dikujt i duhet një figurë origjinale prej malësori, të vijë të marri Lacin dhe tjetër më të mirë, më të bukur, më të hijshëm nuk ke ku gjen. Kur ngrihesh në këmbë (u ngrit vetëm kur iku, në mbrëmje) thoshje se kishe përpara një bredh alpin. Zboristët e tjerë vazhdonin me ngulm punën dhe Laci aty, tek këmbët e mia (më duket se atje do të jetë dhe tani? !!! ) . Secili prej zoboristëve kish bërë, pothuaj, mbi gjysmëm e normës dhe Laci asnjë fije për be. Veç pinte duhan dhe shkërrmoqej me mua me muhabet. Aty, nga mesdita, erdhi shefi i shtabit, major Tahir Beja, një ushtarak shumë izoti dhe burrë shumë i mirë. Laci po aty. Eh, Hys, -më tha shefi, -si po shkon puna. Dhe unë po i tregoja shifrat përbri zboristëve. Dhe ai: -Po Laci, more Hys, sa duaj ka prerë? Unë, i zënë si në faj, i them. Laci ka bërë 30 duaj? ! (I kisha shënuar fiktivisht për të mos e turpëruar? ! ) . Por shefi e njihte mirë këtë mikun tim, ndaj më thotë: -Hys, e meriton që të të shpie në burg. Se, po pati prerë dhe një fije drize apo shkure Laci, unë shpohem në hundë. !!! U zura ngusht dhe i thashë shefit (në sy të Lacit, sigurisht) për nder, o shef, asnjë fije s’ka prerë. Dhe Laci: -Çfarë me pre, o shoku shef, po puna të ha, digjo Lacin ti, or mik, punës kur thojni ju të ushtrisë duhet me i ndenj me karhëmarrje si armikit, or ti. Dhe ia dha të qeshurit. Unë s’e mbaja të qeshurit, por shefi bëri sikur iu lëshua me sharje Lacit, po Laci as që e bëri qejfin qeder. Për 5 ditë me radhë kjo mesele qe me Lacin. Unë, me aprovimin e shefit (ndjesë i pastë shpirti se tani nuk rron më, ky burrë fisnik e ushtarak i veçantë) ia mbusha fletën e zborit Lac Ismail Dushkut (të vetmit zborist që i mbaj mend gjeneralitetet) dhe i them: -More, Lac, mirë këtë zborin me pëlqimin e shef Tahirit (atij t’ia dishë për nder) po ta plotësoj unë, po si ja bën atje në fshat për të ushqyer fëmijtë? Dhe ai: -I shes do bagëti e dal tej matan. . .

Gjtithmonë e kujtoj porosinë etij: “Punës rrij me krahëmarrje, se asht si armiki, të ha ajo virane, të ha? ! “Të jetë e vërtetë? Pres që ta thoni ju. Dhe vonë-vonë kur u bë tufëzimi dhe ato do bagëti, me tëcilat Laci nga Lezha delte tej matan, ia muarrën si do ta ketë shtyrë jetën? Sa do më pëlqente që dikush, ta ketë njohur këtëLacin dhe të plotësojë atë që kamlënë mangut unë. le të shpresojmë. . .

* * *

Lamja, fshatar kooperativist (nga fshati i gruas sime ky, ndaj nuk e theksoj fshatin) nuk dilte kurrë në punë. Mirëpo ish vendosur që në ditët kur bënte qamet (shi apo furtunë) kooperativistët futeshin nëpër strehë të stallave dhe merrnin këto ditë 80 pikë. Vetëm këto ditë, kur gjithë të tjerët, futeshin nëpër strehë për t’u ruajtur nga shiu, Lamja merrte një lopatë a bel, dhe bënte pardë nëpër shi, duke iu drejtuar bashkëfshatarëve: -Ah, kjo e shkretë kohë, që na la batall! Mbetëm, o shokëni, pa punë. . . . Sikur për një çast të ndodhte që të hapte koha, Lamja, si djalli nga temjani dhe frymën mu në shtëpi.

Dhe së fundi,

Udhëtoja nga Fieri në Lushnje në një perëndim (errur pa errur mirë) dielli mbi një furgon. Bashkë me mua edhe nja5-6 nejrëz të tjerë. Shikojmë që drejt kanaleve udhetonin mbi biçikleta grupe njerëzish. Ishin nga ata që gjuanin për zhaba. Unë: -Ju lumtë këtyre, se kënaqen me lekë! Një plak, buçko ky sado i moshuar, ma pret: -Çfarë pune bën, more mik? Unë: -Jam mësues! Ai: -Paske qenë budalla i madh. Dhe, ndërsa unë u skuqa nga kjo sharje e papritur dhe të tjerët ia dhanë të qeshurit, ai më tha: -Digjo xhixhanë ti: unë më mirë vdes për bukë, se të vdes nga puna. Tani edhe unë u przieva me qeshjen e të tjerëve dhe nuk e di po kjo porosi e këtij plaku myzeqar dhe aq të mbajtur më ka ndjekur kudo, siç më kanë ndjekur edhe këto raste të veçanta që, gjithësesi, i solla para jush. Gjykojini dhe jipni dhe ju mendimin.

Përparim Hysi, 29 qershor 2007
Për ”peshku paujë” më 29 qershor 2007

Nuk ka komente: